Radio Deshmia Radio Islame Radio pendimi kurani shqip

♥ Selam Alejkum DEGJONI RADIO DESHMIN ♥

Post Comment

Friday, January 25, 2013

Tre miq të rinj, u nisën për pushime në një shtet të largët. Atje, ata u dëfryen, shëtitën e u kënaqën si kurrë më parë. Ata kishin marrë një dhomë me qera, në një hotel 75 katesh. Për fat të keq, dhoma e vetme që kishin gjetur bosh, ishte pikërisht në katin e 75-të. Që ditën e parë, recepsionisti u kishte thënë:”Këtu kemi rregulla të tjera nga ato që jeni mësuar në vendin tuaj. Ashensori është i programuar që të mos punojë pas orës dhjetë darkës. Kështu që duhet të jeni këtu para orës dhjetë, me qëllim që të ngjiteni në dhomë me ashensor. Nëse e kaloni këtë orë, harrojeni se mund ta përdorni ashensorin, pasi është programuar nga vetë kompania prodhuese dhe ne nuk mund të ndërhyjmë. Kuptuat?!” Të rinjtë u përgjigjën:”Kuptuam.” Ditën e parë, ata shëtitën e brodhën sa u kënaqën. Para orës dhjetë, ata ishin para ashensorit i cili i ngjiti lart në dhomën e tyre. Ditën e dytë, ata u vonuan dhjetë minuta. Edhe pse erdhën me një frymë, tashmë ashensori ishte çaktivizuar dhe u rrofshin këmbët. Ata iu ankuan recepsionistit, iu lutën dhe përgjëruan, por pa fajde. Kështu, zgjidhja e vetme ishte të ngjiteshin në dhomën e tyre në këmbë, duke përdorur shkallët. Njëri prej tyre tha:”Unë do u propozoj diçka që të na e lehtësojë rropatjen në këto shkallë të pafund.” Dy të tjerët u përgjigjën:”Pa hë një herë, çfarë do na sugjerosh?!” Shoku i tyre u tha:”Unë propozoj që secili prej nesh, të tregojë histori përgjatë 25 kateve, pastaj tjetri, derisa të arrijmë në katin e 75-të.” Dy të tjerët u përgjigjën:”Dakord. Meqë ti e propozove këtë ide, filloja vetë i pari!” Ai tha:”Unë do u tregoj barsoleta dhe anektoda që të mbani barkun me dorë nga të qeshurat.” Dy shokët i thanë:”Këtë duam dhe neve.” Dhe menjëherë filluan të ngjisin shkallët. Nga ana e tij, shoku filloi tu tregojë barsoleta për të qeshur. Të tre, përplaseshin sa në njërin cep në tjetrin për shkak të së qeshurave. Pasi kishin kaluar 25 katet e para, i erdhi radha të dytit i cili tha:”Unë do tu tregoj histori serioze, pra që nuk të bëjnë me qeshur.” Shokët i thanë:”Jepi vëllaçko.” Të 25 katet ata i përshkuan duke dëgjuar histori të ndryshme nga jeta. Kur i erdhi radha të tretit, u tha:”Unë nuk di veçse histori vuajtjesh dhe trishtimi. Ju keni dëgjuar barsoletat dhe historitë serioze, dëgjoni prej meje këto të trishtimit dhe vuajtjeve.” Dy shokët ia kthyen:”Zoti të faltë! Jepi atëherë se s’kemi ndonjë zgjidhje tjetër. Duam të mbërrijmë sa më shpejt se jemi lodhur e na vjen gjumë.” Ai filloi menjëherë me historitë dhe tregimet plot dhimbje, vuajtje e trishtim. Më në fund, të tre mbërritën në katin e 75-të, ku i priste dhoma me krevatet e butë. Kur arritën tek dera e dhomës, mezi qëndronin në këmbë nga lodhja. Mandej, shoku i tretë që u kishte rrëfyer histori horor, u tha:”A e dini cila është historia më e dhimbshme dhe më e trishtuar në jetën time?!” Me këmbët që u dridheshin dhe sytë gjysmë të mbyllur, dy shokët u përgjigjën:”Jo.” Ai u tha:”Kemi harruar çelësin e dhomës tek recepsionisti, në katin përdhe.” Të tre u shtrinë përtokë ngaqë u ra të fikët. Gjatë njëzet e pesë viteve të para të jetës, të rinjtë dëfrehen, luajnë, qeshin dhe bëjnë gomarllëqe. Ato janë vitet më të bukura të jetës së secilit prej nesh. Por shumë njerëz, i kalojnë larg lidhjeve me Zotin, kërkimit të dijes dhe diçkaje të dobishme. Gjatë njëzet e pesë viteve të dyta të jetës, fillon serioziteti, martesa, fëmijët, puna etj... derisa të mbushë pesëdhjetë vjeç. Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Mosha mesatare e umetit tim është nga gjashtëdhjetë deri shtatëdhjetë dhe vetëm një pakicë do e kalojë këtë moshë.” Pas të pesëdhjetave fillojnë hallet dhe problemet, fillojnë sëmundjet, vizitat e shpeshta në spital, shpenzimi i parave për ilaçe, e ardhmja e fëmijëve, njëri prej të cilëve është divorcuar nga e shoqja, një tjetër shkon keq me vëllain, një tjetër ka borxhe etj... Kur i vjen vdekja, atij i kujtohet çelësi, çelësi i xhenetit, të cilin e ka harruar tek 25 vitet e para. Kështu, ai del para Zotit me xhepat bosh. Kur e sheh se ka vdekur, ai lutet dhe kërkon të kthehet sërish. Ai kafshon gishtat nga trishtimi dhe dëshpërimi duke thënë:“Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm”. (Zumer, 57) Ai thërret me të madhe:”Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë”! (Zumer, 58) Por përgjigja do të jetë: “Me të vërtetë, juve ju erdhi shpallja Ime (Kurani), por nuk besuat dhe u bëtë mendjemëdhenj e jobesimtarë”. (Zumer, 59) Mesazhi/Elmaz Fida Allahu ju shperblefte per postimin!