Përgjigje:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit! Pjesa që keni shkëputur është nga libri "Udhërrëfyesi i shpirtrave drejt vendit të gëzimeve" nga Ibn Kajjim el Xheuzije. Në këtë pjesë tregohet për gjendjen e xhenetlinjve dhe për mirësitë me të cilat do të begatohen. Ndërsa në lidhje me sqarimet që kërkoni, do të mundohemi të japim shpjegime për secilin radhazi.
-Kush do të jenë ata që janë më afër Zotit pas Pejgamberëve? Aty thuhet të mirët, por kush janë ata a do të mundeni të cekni disa prej tyre?
Njerëzit e vërtetë ose të mirë, që është përmendur në këtë pjesë të shkëputur nga libri, është përkthim i fjalës “Sidikinët”-“të sinqertët”. Këta njerëz të mirë me këtë term përmenden edhe në Kuranin Fisnik, kur Allahu i Madhëruar thotë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët (sidikinët), me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (Nisa, 69)
Ndërsa rreth asaj se me këtë epitet kush është për qëllim konkretisht, themi se termi kuranor i përdorur për epitetin “i sinqertë”, është fjala “siddîk”. Ajo nënkupton ata ndjekës të denjë të Profetëve, të cilët ishin më të parët që u besuan atyre. Sikurse havarijunët e Isait alejhi selam dhe sahabët e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të. Kjo është grada më e lartë që një besimtar mund të arrijë. Cilët njerëz janë që do të shohin Allahun azze we xhel në mëngjes dhe mbrëmje? Banorët e Xhenetit do të jenë ata të cilët do ta shikojnë Zotin atyre dhe kjo është begatia dhe kënaqësia më e madhe që do të përjetojë besimtari. Citatet që vërtetojnë shikimin e Allahut në xhenet janë të përgjithshme dhe në të hyjnë të gjithë banorët e xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë. Dhe Zotin e tyre do të shohin. Kurse disa fytyra, atë ditë, do të jenë të zymta, duke e ditur se do të pësojnë një fatkeqësi, që të thyen në mes.” Gjithashtu i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Ju do ta shihni me të vërtetë Zotin tuaj ashtu siç shihni këtë Hënë.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Ky citat është i përgjithshëm dhe në të hyjnë të gjithë banorët e xhenetit, madje edhe mëkatarët.
-Ku do të jenë gratë; a do të munden edhe ato të qëndrojnë atë ditë në Ditën e Tepricës duke u kënaqur me shikimin e Allahut më të Lartit në ato podiume prej drite; pasi në fund të haditheve mbi këtë ditë mund të kuptohet se është vetëm për burra.
Nuk kemi ndonjë argumentim se kjo është vetëm specifikë e burrave, pasi hadithet të cilat flasin për këtë janë të përgjithshme dhe në të hyjnë edhe burrat edhe gratë ashtu si sqaruam më lart. Allahu e di më së miri!